Thaçi për “Banjskën”: Si u lejua largimi i të armatosurve sikur të ishin “krushq të lirisë”?
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë ekskluzive nga Haga për emisionin Rubikon në Klan Kosova, ka folur për ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, të cilat i cilësoi si një agresion të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të Kosovës.
Thaçi ka ngritur një varg pyetjesh mbi mënyrën si u lejua hyrja e mbi 80 personave të uniformuar e të armatosur thellë në territorin e Kosovës, si dhe për mënyrën e tërheqjes së tyre pa pengesa.
“Kosova e kishte në dorë edhe shkopin edhe karotën. Si ndodhi që mbi 80 persona të armatosur të shfaqen dhjetëra kilometra brenda territorit të Kosovës? Si u tolerua largimi i tyre në mes të ditës, sikur të ishin krushq të lirisë e jo sulmues të lirisë dhe shtetit?”, u shpreh ai.
Thaçi shtoi se e vërteta për këtë ngjarje mund të zbardhet vetëm përmes një hetimi të thelluar dhe transparent në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Vetëm drejtësia, përmes një procesi të thellë dhe të bashkërenduar me ndërkombëtarët, mund ta zbardhë këtë ngjarje. E vërteta i duhet Kosovës, më shumë përballë botës sesa për të kënaqur opinionin publik të brendshëm”, theksoi Thaçi.











