Tetë muaj pas sulmit në Ibër-Lepenc, hetimet vazhdojnë – dy persona ende në paraburgim
Gati tetë muaj pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ende nuk është ngritur aktakuzë lidhur me rastin. Dy të dyshuarit kryesorë, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të arrestuar menjëherë pas shpërthimit që dëmtoi infrastrukturën kritike, vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se hetimet janë ende në zhvillim, por nuk ka dhënë detaje shtesë për rrjedhën e tyre, as për ndonjë të dyshuar tjetër eventual. Nuk është bërë e ditur as nëse institucionet kanë pranuar ndonjë raport nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI), e cila pati ofruar ndihmë për zbardhjen e rastit.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, deklaroi se “po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për të konstatuar gjendjen faktike në përputhje me Kodin e Procedurës Penale”, por për shkak të fazës hetimore, nuk mund të jepen më shumë informacione.
Juristi Ardian Bajraktari vlerësoi se, pavarësisht kohës së kaluar, hetimet janë brenda afateve ligjore dhe kjo është në përputhje me praktikën për raste të ndërlikuara dhe të ndjeshme si ky. Ai theksoi rëndësinë e një aktakuze të mirëpërgatitur.
Për referencë, hetimet për rastin tjetër të sulmit terrorist paramilitar në Banjskë të Zveçanit, të ndodhur më 24 shtator 2023, kishin zgjatur një vit të tërë përpara ngritjes së aktakuzës ndaj Milan Radojçiqit dhe 44 personave të tjerë.











