#Lajme

Tentim vrasje në Pejë, pritet dorëzimi i 21-vjeçarit Arb Shala

Një incident i rëndë ka ndodhur sot në Pejë, i cili po hetohet si rast i tentim vrasjes. Policia ka identifikuar si të dyshuar 21-vjeçarin Arb N. Shala, ndërsa i lënduari po trajtohet në Spitalin Rajonal të Pejës dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Burime të afërta me rastin kanë bërë të ditur se së shpejti pritet dorëzimi vullnetar i Shalës në polici, pasi familja e tij tashmë ka komunikuar me organet e rendit.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një përleshjeje mes të dyshuarit dhe viktimës, të cilët njiheshin edhe më parë. Sipas informacioneve, fillimisht viktima e kishte goditur Shalën me grusht dhe më pas me një karrige, ndërsa i dyshuari, në përpjekje për ta ndalur sulmin, kishte përdorur armën duke qëlluar në pjesën e poshtme të trupit të tij.

Familja e 21-vjeçarit dhe vetë ai kanë shprehur keqardhje për ngjarjen, duke e konsideruar atë si një incident të paqëllimshëm.

Organet kompetente pritet të japin vendimet e tyre pas dorëzimit të të dyshuarit.