Tentativa e 52-të për konstituimin e Kuvendit, ambasadorët ndërkombëtarë pritet të jenë të pranishëm në orën 11:00
Sot, në orën 11:00, do të mbahet tentativa e 52-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, proces i papërfunduar që nga zgjedhjet e shkurtit për shkak të mospajtimeve mes partive politike.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbështesë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, ndërsa është propozuar edhe formimi i një Komisioni për votim të fshehtë. Megjithatë, PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun, ndërkohë që mungesa e kuorumit po e bllokon edhe krijimin e Komisionit zgjedhor.
Në këtë seancë vendimtare, pritet të jenë të pranishëm edhe ambasadorët e vendeve mike. Ambasada e Gjermanisë ka konfirmuar se ambasadori Rohde, bashkë me diplomatë të tjerë ndërkombëtarë, do të marrë pjesë në seancë, duke pasur parasysh se kjo është mundësia e fundit para përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, Gjykata ka vendosur masë të përkohshme që ndalon çdo veprim parlamentar pas datës 26 korrik, duke theksuar se çdo vendim pas kësaj date mund të shkaktojë dëme serioze për rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve të vendit.











