#Lajme

Të mërkurën nis regjistrimi i votuesve jashtë vendit për zgjedhjet lokale në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të hapë të mërkurën, më 23 korrik 2025, periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për të marrë pjesë në votimin me postë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ku do të zgjidhen kryetarët e komunave dhe anëtarët e kuvendeve komunale.

Afati për regjistrim do të zgjasë 38 ditë, përkatësisht deri më 29 gusht 2025. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se aplikimi për regjistrim mund të bëhet në dy mënyra: përmes platformës elektronike që do të aktivizohet nga data 23 korrik, ose përmes postës, duke dërguar dokumentacionin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Ai sqaroi gjithashtu se, ndryshe nga zgjedhjet parlamentare ku ishte i mundur votimi në ambasada e konsullata, në zgjedhjet lokale një mundësi e tillë nuk lejohet nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo do të thotë se votuesit jashtë vendit do të kenë mundësi të votojnë vetëm me postë.

Votimi për qytetarët që regjistrohen si votues jashtë vendit do të zhvillohet nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025. Gjatë kësaj periudhe, KQZ-ja do të sigurojë adresa postare në disa shtete, ku votuesit mund të dërgojnë fletëvotimet e tyre.