Taksat doganore po e rrisin ndjeshëm koston e porosive ndërkombëtare në Kosovë
Qytetarët e Kosovës që porosisin produkte online nga jashtë vendit po përballen me çmime shumë më të larta nga sa kushtojnë vetë produktet, sidomos kur vlera e tyre kalon 35 euro. Në shumë raste, kostoja totale e porosisë dyfishohet ose edhe trefishohet për shkak të taksave doganore dhe TVSH-së, që llogariten edhe mbi tarifat e transportit.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, shpjegon se taksat për import janë të njëjta për të gjitha porositë, por çmimi final ndryshon në varësi të kostos së transportit. “Nëse produkti kushton 50 euro dhe transporti 10 euro, baza e taksimit bëhet 60 euro. Varësisht nga vlera e produktit dhe transportit, ndryshojnë edhe taksat”, deklaroi ai për rtv21, duke shtuar se qëllimi i Doganës nuk është interesi personal, por ai publik.
Sipas ish-drejtorit të Doganës dhe kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, porositë online janë rritur ndjeshëm që nga pandemia. Ai thekson se shpenzimet e transportit ndikojnë domosdoshmërisht në rritjen e çmimit final, pasi “sasia ndikon në çmim”, sidomos për blerjet me pakicë, të cilat përbëjnë 99% të porosive online nga qytetarët.
Përveç taksave të importit, qytetarët mund të paguajnë edhe tarifa shtesë nëse nuk i tërheqin porositë në ditën e mbërritjes, pasi produktet qëndrojnë në terminalet doganore. Dogana ndërkohë thekson se udhëtarët që sjellin mallra me vete trajtohen ndryshe nga porositë online, të cilat konsiderohen të natyrës komerciale. Stavileci shton se limiti prej 35 eurosh aplikohet edhe për të mbrojtur tregun vendor.
Në kontrast, Bashkimi Evropian nuk aplikon taksa doganore për blerjet brenda vendeve të BE-së, pavarësisht vlerës së produktit. Për blerjet nga jashtë BE-së, taksat doganore nisin vetëm për porosi mbi 150 euro – një prag shumë më i lartë se ai që zbatohet aktualisht në Kosovë.











