Takimi i ish-opozitës në Ambasadën Amerikane, pa shtytje për koalicion qeverisës
Liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së u takuan në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë pas vendimit amerikan për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën. Edhe pse partitë pranojnë se mbajnë kontakte të rregullta me diplomatët amerikanë, ato theksojnë se nuk ka pasur shtytje për formimin e një koalicioni qeverisës në rast të dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar shumicë parlamentare.
Zyrtarë të PDK-së dhe LDK-së akuzuan kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për prishje të raporteve me SHBA-në, ndërsa AAK u shpreh e gatshme për bashkëqeverisje me këto dy parti vetëm për largimin e tij nga pushteti.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, deklaroi se Kosova mbetet partner serioz i SHBA-së për stabilitet dhe paqe në rajon, duke theksuar se veprimet e ekzekutivit janë në përputhje me Kushtetutën.










