Szijjarto akuzon Brukselin dhe demokratët amerikanë për përpjekje destabilizuese në Hungari, Serbi dhe Sllovaki
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka akuzuar Brukselin dhe demokratët amerikanë se po ndërhyjnë politikisht për të rrëzuar qeveritë në Hungari, Serbi dhe Sllovaki.
Në një deklaratë për media, Szijjarto tha se një “qendër koordinuese” në Bruksel, me mbështetje nga opozita amerikane, është duke udhëhequr përpjekjet për rrëzimin e këtyre qeverive. Ai përmendi tre liderë që sipas tij janë në shënjestër të këtyre veprimeve: presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kryeministri sllovak Robert Fico.
“Të tre liderët mbrojnë interesat kombëtare, edhe kur ato bien ndesh me politikat e Brukselit. Është e qartë se përballen me përpjekje të hapura për rrëzimin e qeverive të tyre të diktuara nga jashtë,” deklaroi Szijjarto.
Ai foli edhe për protestat në Serbi, të cilat nisën pas një incidenti tragjik në Novi Sad, duke i cilësuar ato si ndërhyrje të jashtme me qëllim rrëzimin e Vuçiqit.
Shefi i diplomacisë hungareze kritikoi gjithashtu liderët perëndimorë, duke thënë se ata duhet të merren me problemet e vendeve të tyre në vend se të ndërhyjnë në proceset e brendshme të shteteve të tjera.











