Sylvinho pas rinovimit të kontratës: Vazhdojmë së bashku, na pret më shumë punë dhe përkushtim
Një ditë pas zyrtarizimit të rinovimit të kontratës me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në korrik të vitit 2026, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se bëhet fjalë për vazhdimin e projektit aktual me ekipin kuqezi.
Përmes një mesazhi në profilin e tij në Instagram, tekniku brazilian u shpreh se rinovimi i marrëveshjes garanton vazhdimësinë e një pune të ndërtuar me përkushtim, profesionalizëm dhe unitet. “Vazhdojmë së bashku. Kam rinovuar kontratën me ekipin kombëtar të Shqipërisë për edhe gjashtë muaj, duke i dhënë vazhdimësi një projekti që është ndërtuar me shumë punë, profesionalizëm dhe unitet”, shkroi Sylvinho.
Trajneri bëri edhe një përmbledhje të arritjeve të Kombëtares nën drejtimin e tij, duke vënë në pah sukseset historike dhe forcën e kolektivit. Ai kujtoi kualifikimin për herë të dytë në finalet e Kampionatit Evropian, paraqitjet konkurruese në fushë, si dhe kualifikimin për herë të parë në fazën “playoff” të Botërorit 2026.
Sipas Sylvinhos, këto rezultate janë dëshmi e progresit, identitetit dhe bashkimit të skuadrës, ndërsa sfidat e ardhshme do të kërkojnë edhe më shumë angazhim dhe punë të palodhur. “Ajo që na pret më pas kërkon më shumë përkushtim, punë dhe angazhim nga të gjithë. Ne vazhdojmë të qëndrojmë të fortë, ditë pas dite, me vendosmëri dhe zemër. Forca Shqipëri!”, përfundoi ai.
Kombëtarja shqiptare do të rikthehet në fushë në muajin mars, kur do të zhvillojë ndeshjen gjysmëfinale të “playoff”-it të Botërorit ndaj Polonisë. Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të luajnë për një vend historik në Kampionatin Botëror kundër fituesit të përballjes mes Ukrainës dhe Suedisë.











