Supremja: Zbatimi i vendimit për pensionistët është përgjegjësi e institucioneve ekzekutive
Gjykata Supreme e Kosovës ka sqaruar se përgjegjësia për zbatimin e vendimit lidhur me procedurat e lajmërimit të pensionistëve u takon institucioneve përkatëse dhe jo gjykatave.
Në një sqarim publik, të bërë një ditë pas njoftimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve se disa kategori pensionistësh duhet të paraqiten për të konfirmuar se janë ende gjallë, Supremja ka theksuar se ajo i ka përmbushur plotësisht detyrimet e saj ligjore përmes aktgjykimit P.A.nr.16/2025.
Sipas Gjykatës Supreme, me këtë aktgjykim janë shpallur të paligjshme dhe janë shfuqizuar disa dispozita të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 të ish-MPMS-së, konkretisht neni 4 paragrafi 2 dhe neni 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4, të cilat rregullonin procedurat e lajmërimit, suspendimit të pagesave dhe kthimit të mjeteve në rast të keqpërdorimeve të pensioneve.
Gjykata ka bërë të ditur se pas nxjerrjes së aktgjykimit, vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë kështu efekt të plotë juridik. Supremja ka theksuar se nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet ekzekutive, ndërsa çdo moszbatim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit.
Po ashtu, është bërë e ditur se aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme.
Ndërkohë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se disa kategori pensionistësh nuk kanë më nevojë të paraqiten rregullisht në zyrat e pensioneve. Këtu përfshihen përfituesit e pensioneve kontributive, parciale kontributive dhe pensioneve familjare.










