Supremja shpall të paligjshëm udhëzimin e Muratit për pezullimin e arkave fiskale
Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, që pezullonte për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale.
Aktgjykimi është marrë më 7 korrik nga një kolegj gjyqësor i kryesuar nga gjyqtarja Delushe Halimi, duke e shpallur këtë udhëzim si të jashtëligjshëm.
Rasti u iniciua nga kompanitë Enternet dhe Service Global, të cilat operojnë në fushën e shitjes dhe servisimit të arkave fiskale. Këto kompani përfaqësoheshin në gjykatë nga avokati Virtyt Ibrahimaga.
Në vendimin e Gjykatës thuhet:
“Aprovohet e themeltë kërkesëpadia e paditësve: Enternet Shpk dhe Konsorciumi Service Global, e paraqitur kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.”
Ky vendim i hap rrugë kompanive të rikthehen në treg, ndërkohë që mbetet të shihet nëse MFPT do të ndërmarrë hapa të tjerë ligjorë pas këtij zhvillimi.












