Sulmohet polic në kufirin me Serbinë, automjeti e godet dhe ikën drejt territorit serb
Një zyrtar policor i Njësisë për Reagim të Shpejtë është sulmuar të martën pasdite në zonën kufitare “Voji Misliçe” në komunën e Zubin Potokut, afër Junakës.
Ngjarja ka ndodhur më 21 tetor 2025, rreth orës 16:30, kur një patrullë policore me katër zyrtarë ishte vendosur në një pikë vëzhgimi pranë kufirit me Serbinë. Gjatë patrullimit, është vërejtur një automjet që po afrohej nga territori serb. Policët i kanë dhënë shenjë për ndalim me qëllim identifikimi, por drejtuesi i automjetit nuk është ndalur.
Në tentativë për t’u larguar, ai ka goditur me pasqyrën e majtë zyrtarin policor A.M., duke i shkaktuar lëndime trupore, dhe më pas është larguar me shpejtësi në drejtim të Serbisë. Për shkak se patrulla ishte këmbësore, policët nuk kanë mundur ta ndjekin automjetin.
Zyrtari i lënduar është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë, përfshirë hetuesit dhe forenzikën, të cilat kanë kryer kqyrjen e vendit të ngjarjes.
Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe e ka kualifikuar atë si “Sulm ndaj personit zyrtar”. Hetimet janë në zhvillim, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e autorit dhe automjetit të përfshirë në incident.










