Suedezi arrestohet në “Prishtina Mall” pas vjedhjes së një çante “Boss”
Një shtetas suedez është arrestuar të dielën pasdite në Qendrën Tregtare “Prishtina Mall”, pasi dyshohet se ka vjedhur një çantë luksoze të markës “Boss”.
Sipas informacioneve nga sigurimi i qendrës, rasti ka ndodhur në lokalin “Boss”, ku çanta me vlerë 269.99 euro ishte marrë pa leje, pasi i ishte hequr pajisja e sigurisë (alarmi). Policia ka reaguar menjëherë dhe ka ndaluar dy persona të dyshuar, shtetas të Suedisë, të cilët janë marrë në pyetje.
Nga hetimet e para është konstatuar se vetëm njëri prej tyre, Jahn Dahlgren, rreth 27 vjeç, ishte përfshirë në vjedhje. Ai është ndaluar në mbajtje, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë”.
Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorit Kujdestar, teksa po verifikohet nëse i dyshuari ka lidhje me ndonjë rast tjetër të ngjashëm në qendër.










