SPERTK kërkon financim të pavarur për RTK-në dhe miratimin e ligjit të ri
Pas zhbllokimit të buxhetit, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) i është drejtuar legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës me kërkesën që të sigurohet financim i qëndrueshëm dhe i pavarur për transmetuesin publik. Sindikata thekson se para miratimit të buxhetit nacional duhet të vendoset rritja prej 0.7% për RTK-në, në përputhje me rritjen vjetore të buxhetit të shtetit, si dhe të miratohet ligji i ri që garanton funksionimin normal të institucionit.
SPERTK rikujton se RTK prej 26 vitesh operon në kushte të pasigurta financiare dhe se në vitin 2021 buxheti i saj u tkurr edhe për 2.2 milionë euro, duke e bërë televizionin publik me financimin më të ulët në rajon. Përveç kësaj, sindikata kërkon edhe nisjen e ndërtimit të objektit të ri të RTK-së, një projekt i vonuar për shumë vite.
Në komunikatë theksohet se RTK aktualisht funksionon pa Bord, pa Drejtor të Përgjithshëm, pa Kryeredaktor dhe me shumë pozita të mbajtura nga ushtrues detyre, prandaj kërkohet që institucionet e reja të shqyrtojnë me kujdes çdo kontratë dhe shpenzim. SPERTK paralajmëron se do të paraqesë kërkesa për rritje pagash dhe avancim të kontratës kolektive, ndërsa nëse këto çështje nuk adresohen pas formimit të plotë të institucioneve, sindikata nuk përjashton ndërmarrjen e masave sindikale.











