#Lajme

Specialja rifillon punën pas pushimit veror, mbahet konferenca për ish-krerët e UÇK-së

Gjykata Speciale në Hagë ka rifilluar punën pas pushimit veror dhe sot do të zhvillojë konferencën përgatitore për mbrojtjen në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Për këtë çështje, në shtator pritet të mbahen dhjetë seanca dhe në tetor dy të tjera.

Avokati Skënder Musa, i akredituar pranë Dhomave të Specializuara, ka thënë se dëshmitarët e mbrojtjes pritet të ndryshojnë rrjedhën e procesit, duke kundërshtuar pretendimet dhe provat e cilësuara prej tij si të fabrikuara nga Serbia.

Ndërkaq, monitoruesi i procesit nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, e ka vlerësuar gjykimin si të stërzgjatur dhe jo mjaftueshëm transparent për publikun. Ai ka theksuar se, meqë dëshmitarët e prokurorisë tashmë janë dëgjuar dhe provat materiale janë administruar, kushtet për vazhdimin e paraburgimit janë dobësuar dhe procesi duhet të përshpejtohet.

Javën e kaluar, Apeli refuzoi kërkesën e Veselit, Krasniqit dhe Selimit për lirim të përkohshëm, ndërsa prokuroria ka kërkuar kufizim të vizitave për Thaçin, duke argumentuar se ai po informohet për zhvillimet politike e ekonomike në Kosovë.

Pushimi veror i DHSK-së zgjati nga 28 korriku deri më 15 gusht, periudhë gjatë së cilës nuk u mbajtën seanca, por gjykata mbeti funksionale dhe afatet gjyqësore vazhduan të jenë në fuqi.