Specialja publikon datat e deklaratave përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar për afatin kohor të mbajtjes së deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sipas njoftimit zyrtar, deklaratat përmbyllëse do të zhvillohen gjatë muajit shkurt, konkretisht nga 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt. Seancat do të mbahen nga ora 09:00 deri në 16:30 në ambientet e Gjykatës Speciale në Hagë.
Më 9 shkurt do të nisë deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, e cila do të vazhdojë edhe më 10 shkurt, së bashku me deklaratën e Mbrojtjes së Viktimave. Më 11 shkurt është paraparë deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ndërsa ajo e Veselit do të vazhdojë edhe më 12 shkurt.
Në të njëjtën ditë, më 12 shkurt, do të fillojë edhe deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Rexhep Selimit, e cila do të vazhdojë më 13 shkurt, kur njëkohësisht do të nisë edhe deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Jakup Krasniqit. Kjo e fundit do të vazhdojë edhe më 16 shkurt, ditë në të cilën Trupi Gjykues pritet të parashtrojë pyetje.
Aktakuza fillestare ndaj katër të akuzuarve ishte konfirmuar më 26 tetor 2020 dhe është ndryshuar disa herë, konkretisht më 3 shtator 2021, më 29 prill 2022 dhe më 30 shtator 2022.













