Specialja miraton një ditë shtesë për dëshminë e Wesley Clarkut në gjyqin ndaj Thaçit
Gjykata Speciale ka njoftuar se Trupi Gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për të rezervuar një ditë shtesë në kalendarin e seancave, në kuadër të dëshmisë së planifikuar të dëshmitarit Wesley Clark (1DW-007).
Sipas njoftimit, dëshmia e Clarkut pritet të fillojë më 18 nëntor pasdite. Pas vlerësimit të kohës së nevojshme për zhvillimin e saj, Trupi Gjykues ka caktuar edhe datën 21 nëntor si ditë shtesë për përmbylljen e dëshmisë.
Gjykata ka theksuar se qëllimi i kësaj dite shtesë është të sigurojë që paraqitja e argumenteve të Mbrojtjes të përfundojë në mënyrë sa më të shpejtë dhe efikase, por gjithashtu ka kërkuar nga palët që të përpiqen ta përmbyllin dëshminë më herët nëse është e mundur.
Ndërkohë, seanca e radhës në këtë proces do të zhvillohet të hënën, më 10 nëntor 2025, nga ora 14:00 deri në 17:00.










