#Botë

Spanja shpall tre dite zie pas aksidentit tragjik hekurudhor

Spanja ka shpallur tre ditë zie kombëtare pas një aksidenti të rëndë hekurudhor që mori jetën e të paktën 40 personave në provincën jugore të Kordobës. Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, kur dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën pranë qytetit të Adamuzit.

Sipas transmetuesit publik RTVE, rreth 120 persona mbetën të plagosur, ndërsa 12 prej tyre po trajtohen në kujdes intensiv. Autoritetet rajonale të Andaluzisë raportojnë gjithashtu se 37 persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërkohë që nuk dihet nëse disa prej tyre janë mes viktimave të konfirmuara.

Kryeministri Pedro Sanchez njoftoi se ditët e zisë nisën të hënën në mbrëmje dhe garantoi se ngjarja do të hetohet në mënyrë të plotë. “Do ta zbulojmë të vërtetën dhe do ta bëjmë publike me transparencë dhe qartësi të plotë”, deklaroi ai.

Komiteti i Hetimit të Aksidenteve Hekurudhore ka nisur procedurat hetimore, ndërsa operatori hekurudhor Renfe ka përjashtuar paraprakisht mundësinë e një gabimi njerëzor.

Aksidenti ndodhi rreth orës 19:40, kur një tren që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit doli nga shinat dhe u fut në një binar paralel, duke shkaktuar daljen nga shinat edhe të një treni tjetër që po udhëtonte nga Madridi drejt Huelvës. Autoritetet thanë se dy vagona të trenit Alvia ranë në një argjinaturë rreth katër metra të lartë, gjë që vështirësoi ndjeshëm operacionet e shpëtimit.

Ministri i Transportit, Oscar Puente, e cilësoi aksidentin si “jashtëzakonisht të çuditshëm”, duke theksuar se ndodhi në një segment të drejtë të hekurudhës që ishte rinovuar vetëm pak muaj më parë. Ai bëri të ditur se një komision i pavarur do të hetojë nëse shkaku lidhet me infrastrukturën apo me mjetet hekurudhore.

Spanja ka përjetuar edhe më parë tragjedi të rënda hekurudhore. Në vitin 2013, një tren me shpejtësi të lartë që udhëtonte nga Madridi drejt Galicisë doli nga shinat, duke shkaktuar vdekjen e 79 personave dhe plagosjen e 179 të tjerëve.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *