Spalletti lavdëron Zhegrovën pas fitores së Juventusit në Kupën e Italisë
Juventusi ka siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Italisë pasi mposhti Udinesen me rezultat 2-0, duke dominuar ndeshjen e vlefshme për fazën e 1/8-tës. Me këtë fitore, bardhezinjtë do të përballen me fituesin e duelitt Atalanta–Genoa.
Pas sfidës, trajneri Luciano Spalletti u shpreh shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit, por veçoi për lëvdata yllin e Kosovës, Edon Zhegrovën, i cili u inkuadrua në minutën e 83-të dhe la përshtypje pozitive me lojën e tij. Spalletti theksoi se fitoret janë thelbësore për të larguar presionin dhe se skuadra po tregon përmirësim të vazhdueshëm në qasjen me topin.
“Jam i kënaqur me performancën e Zhegrovës. Pas një periudhe të gjatë jashtë fushës, ai meritonte më shumë hapësirë. Më pëlqeu veçanërisht angazhimi i tij në mbrojtje,” tha trajneri, duke e cilësuar Zhegrovën si një lojtar të fuqishëm dhe të paparashikueshëm, që sheh mundësi aty ku të tjerët shohin pengesa.











