Sot seancë gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për krime lufte në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë, sot në ora 09:30, mban seancën fillestare ndaj Lubomir Çimburoviqit, Predrag Bradiqit dhe Milivoje Iviqit, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998–1999.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, akuzat kanë të bëjnë me krime të dyshuara të kryera në Burgun e Prishtinës dhe në objektin paralel në Lipjan. Procesi gjyqësor po zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata nuk janë të qasshëm për autoritetet e drejtësisë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, në cilësinë e personave zyrtarë, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj të burgosurve shqiptarë, duke përdorur mjete të ndryshme dhe duke shkaktuar lëndime trupore si dhe pasoja të rënda psikologjike. Gjykimet në mungesë janë bërë të mundura pas ndryshimeve të fundit në Kodin e Procedurës Penale.











