#Lajme

Sot seancë fillestare ndaj të akuzuarit për dhunim seksual gjatë luftës në Vushtrri

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore sot mbahet seanca fillestare ndaj Cvetko Kostiq, i cili akuzohet për dhunim seksual gjatë luftës në Komunën e Vushtrrisë.

Kostiq po gjykohet në mungesë, pasi autoritetet nuk kanë arritur të sigurojnë prezencën e tij në procesin gjyqësor. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ai, si pjesëtar i forcave policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Deri më tani, për krimet e dhunimit seksual gjatë luftës janë ngritur gjithsej 12 aktakuza, prej të cilave shtatë janë në mungesë. Dënimi i parë për këtë vepër u shqiptua ndaj Zoran Vukotiq, i cili u dënua me 13 vjet burgim, ndërsa në një rast tjetër ai u lirua nga akuza për dhunim seksual. Ndërkohë, Zhivojin Nesiq i njohur si “Zhika” është dënuar me 15 vjet burgim dhe po vuan dënimin.

Vitin e kaluar u shqiptuan edhe dënimet e para në mungesë, ku Dragan Deniq dhe Ivica Rajkoviq u dënuan me nga 15 vjet burgim secili, ndërsa po atë vit nisën edhe dy procese të tjera gjyqësore për këtë krim lufte.

Seanca e sotme pritet të fillojë në orën 09:30.