#Lajme

Sot protestohet në Hagë kundër Gjykatës Speciale

Shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, vende të ndryshme të Evropës dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë nisur drejt Holandës për të marrë pjesë në një protestë masive kundër Gjykatës Speciale. Tubimi pritet të mbahet sot në Hagë, pranë ndërtesës së Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke filluar nga ora 14:00.

Protesta është organizuar me mbështetjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe zhvillohet në kohën kur pritet të dëgjohet dëshmitari i parë në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi po përballen me një proces të gjatë gjyqësor në Hagë, ku akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023. Prokuroria ka përfunduar paraqitjen e provave në prill të këtij viti, ndërkohë që më 15 shtator do të fillojë prezantimi i provave nga ekipet mbrojtëse.