Sot përfundon afati për paraqitjen e ankesave në PZAP
Sot në orën 11:00 përfundon afati për subjektet politike dhe kandidatët që dëshirojnë të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të nisë procesin e certifikimit të rezultateve zgjedhore.
Një ankesë është paralajmëruar nga Igor Simiq, kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe. Ai ka bërë të ditur se do të kundërshtojë mosmiratimin e listës së kandidatëve të partisë së tij, pas vendimit të marrë të shtunën në KQZ, ku dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe abstenimi i anëtarëve të tjerë pamundësuan miratimin e saj.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet, PZAP ka në dispozicion katër ditë për shqyrtimin e ankesave. Ndërkaq, palët e pakënaqura kanë të drejtë që, brenda dy ditësh nga vendimi i PZAP-it, të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme, e cila duhet të marrë vendim përfundimtar brenda tri ditësh.
Duke marrë parasysh këto afate ligjore, procesi i vendimmarrjes përfundimtare pritet të zgjasë deri në mesin e muajit shkurt.








