Sot mbyllet afati për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se sot, e shtunë më 20 dhjetor, përfundon afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Deri më tani, KQZ ka akredituar 586 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë organizata joqeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore dhe ndërkombëtare, institucione shtetërore si dhe përfaqësi diplomatike. Sipas KQZ-së, pritet që në mbledhjet e ardhshme të akreditohen edhe vëzhgues të tjerë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut, mediat dhe përfaqësuesit e shteteve të huaja mund të dorëzojnë kërkesat për akreditim në mënyrë online deri në përfundim të ditës së sotme.
Elezi ka theksuar se vëzhgimi i zgjedhjeve është thelbësor për transparencën, integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor, duke shtuar se prania e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë ndihmon në rritjen e besimit të qytetarëve dhe në identifikimin e mangësive eventuale.
Sipas KQZ-së, vetëm vëzhguesit e akredituar do të kenë të drejtë të përcjellin të gjitha fazat e procesit zgjedhor, përfshirë përgatitjet, ditën e votimit, numërimin e votave dhe shpalljen e rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.











