#Lajme

Sot edhe një përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sërish sot në orën 11:00, në tentativën e radhës për ta përmbyllur procesin e konstituimit të tij.

Procesi ka mbetur i bllokuar për shkak të zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, pasi ndërkohë janë zgjedhur kryetari i Kuvendit, nënkryetarët nga partitë shqiptare dhe ai nga komunitetet pakicë joserbe.

Në seancën e kaluar, kandidati Nenad Rashiq nuk mori votat e nevojshme – nga 76 deputetë pjesëmarrës, 55 votuan për, 1 kundër dhe 20 abstenuan. Si rezultat, është hapur procesi i shortit për të përcaktuar nënkryetarin nga ky komunitet.

Konstituimi i Kuvendit nuk mund të konsiderohet i plotë pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, ndërsa pas këtij procesi pritet të nisë formimi i Qeverisë së re.