#Sport

Sonte zhvillohen dy gjysmëfinalet spektakolare të AFCON-it

Kupa e Afrikës së Kombeve hyn sonte (e mërkurë) në fazën vendimtare, me zhvillimin e dy ndeshjeve gjysmëfinale që priten të ofrojnë spektakël futbolli.

Në ndeshjen e parë, që nis nga ora 18:00, Senegali përballet me Egjiptin, në një duel shumë të fortë mes dy prej përfaqësueseve më të mëdha të kontinentit afrikan.

Ndërkohë, nga ora 21:00, Nigeria do të sfidojë nikoqirin Marokon, në një tjetër përballje të nivelit të lartë, ku pritet rivalitet i madh dhe atmosferë elektrizuese.

Të katër këto kombëtare janë konsideruar favorite për triumfin final që nga fillimi i turneut, ndërsa sonte do të mësohen dy ekipet që do të sigurojnë biletën për finalen e madhe të AFCON-it.