#Sport

Sky Sport DE: Klopp po e shqyrton seriozisht mundësinë për ta drejtuar Real Madridin

Real Madrid po e konsideron Jurgen Kloppin si një nga opsionet për postin e trajnerit për sezonin e ardhshëm, raportojnë mediat ndërkombëtare. Sipas Sky Sports, emri i ish-trajnerit të Borussia Dortmund dhe Liverpoolit po diskutohet seriozisht brenda klubit madrilen, në rast se stoli i trajnerit mbetet vakant gjatë verës.

Presidenti Florentino Perez e sheh Kloppin si një alternativë të rëndësishme, megjithëse në listën e kandidatëve ndodhen edhe emra të tjerë. Ish-trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, përmendet si një nga opsionet, ndërsa Zinedine Zidane mbetet një alternativë e preferuar për një pjesë të drejtuesve të klubit, pavarësisht raporteve jo të mira me Perezin.

Aktualisht, Klopp është i angazhuar si Drejtor Global i Sporteve në rrjetin Red Bull dhe është i fokusuar në këtë projekt. Megjithatë, sipas Sky Sports, trajneri gjerman do ta shqyrtonte seriozisht një ofertë nga Real Madridi, nëse projekti sportiv dhe kushtet do të ishin të përshtatshme.

Deri tani nuk ka pasur kontakte zyrtare mes palëve, por interesi i Real Madridit për Klopp mbetet i hapur.