“Sirena” europiane për Mitaj, klube nga Spanja dhe Anglia tregojnë interes
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, duket gjithnjë e më larg Arabisë Saudite, ndërsa drejtuesit e Al Itihadit kanë konfirmuar se ka oferta nga disa klube evropiane.
Sipas drejtorit sportiv të klubit, Ramon Planes, interesim për Mitajn kanë shfaqur skuadra nga Spanja dhe Anglia, edhe pse emrat e saktë nuk janë zbuluar. Drejtuesi siguroi se informacioni është i vërtetë, duke e vendosur mbrojtësin kuqezi në qendër të tregut europian.
Mitaj nuk është aktivizuar në tre ndeshjet e fundit të Al Itihadit – e para për shkak të pezullimit dhe dy të tjera si vendim i trajnerit Serzhio Konseisao dhe ndoshta i drejtuesve. Mediat saudite kanë vlerësuar paraqitjet e tij, por nuk kanë ngurruar të kritikonin disa gabime apo pakujdesi në lojën e tij.
Mbrojtësi shqiptar ka fituar sezonin e kaluar titullin kampion dhe Kupën e Mbretit në Arabinë Saudite, ndërsa këtë sezon ka regjistruar dy gola dhe katër asistime në 39 ndeshje, duke kontribuar si në fazën difensive, ashtu edhe në atë sulmuese.
Al Itihad kishte paguar 4 milionë euro për kartonin e tij, i cili tani vlerësohet rreth 5.5 milionë euro, ndërsa Mitaj ka një rrogë vjetore prej 3 milionë eurosh, pa përfshirë taksat.











