#Lajme

Sindikata e Arsimit kritikon qeverinë për mungesë të teksteve shkollore: “Shekulli 21 nuk plotësohet me shkumësa e shpuza”

Fillimi i vitit të ri shkollor në Kosovë po shoqërohet me mungesë të teksteve për nxënësit, duke nxitur kritika nga Sindikata e Arsimit. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha për Ekonomia Online se qeveria po përsërit gabimet e mëparshme dhe se shpërndarja e librave përmes subvencionimit të prindërve nuk ka dhënë rezultat.

Sipas tij, deklaratat se shkollat janë të përgatitura nuk qëndrojnë, pasi përveç teksteve që shpërndahen me vonesë, mësimdhënësit nuk kanë mjete moderne pune. “Kërkesat e shekullit 21 nuk plotësohen me shkumësa dhe shpuza. Shkollat duhet të furnizohen me projektorë e laptopë, që nxënësit të ndihen të motivuar”, tha Jasharaj.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, vlerësoi se këtë vit procesi i subvencionimit ka qenë më i suksesshëm, pasi prindërit janë më të informuar dhe shumica e nxënësve janë pajisur me kohë me libra. Megjithatë, ai theksoi se shuma prej 80 eurosh dhe çmimet e ndryshme të teksteve kërkojnë analizë të detajuar për të parë nëse ky format është më i leverdishëm sesa shpërndarja e drejtpërdrejtë në shkolla.

Qehaja shtoi se vetëm një analizë e mirëfilltë statistikore dhe financiare mund të tregojë nëse subvencionimi aktual është modeli më i përshtatshëm për Kosovën.