#Lajme

Shtrenjtimi i energjisë rrezikon bizneset dhe nxit ikjen e të rinjve

Rritja e çmimit të energjisë dhe kalimi i menjëhershëm në tregun e hapur po rrezikojnë ekonominë e Kosovës, paralajmërojnë përfaqësues të bizneseve dhe analistë politikë.

Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, tha se shumë kompani të huaja po planifikojnë largimin drejt Maqedonisë së Veriut, ndërsa bizneset vendore janë detyruar të ndalojnë investimet. Ai shtoi se shtrenjtimi i energjisë, që pritet të arrijë deri në 300 për qind gjatë dimrit, do të sjellë rritje çmimesh dhe humbje të vendeve të punës, duke nxitur edhe më shumë ikjen e të rinjve.

Edhe analisti Afrim Kasolli kritikoi vendimin e ZRRE-së, duke paralajmëruar se liberalizimi i menjëhershëm pa faza tranzitore mund të shkaktojë pasoja të rënda ekonomike dhe shoqërore, madje edhe një eksod të ri nga Kosova.

ZRRE ka njoftuar se nga 16 gushti ka nisur shkëputjen nga rrjeti të bizneseve që nuk kanë lidhur kontrata me furnizues privat, sipas vendimit që obligon kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.