#Lajme

Shqipe Selimi nuk e votoi Donika Gërvallën për kryeparlamentare

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, bashkëshortja e ish-deputetit Rexhep Selimi, nuk e ka mbështetur Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit të Kosovës në seancën konstituive të sotme, raporton Indeksonline.

Gërvalla, e propozuar nga VV-ja si kandidatura e dytë pas Albulena Haxhiut, mori vetëm 57 vota pro, duke mos arritur shumicën e nevojshme për t’u zgjedhur. Mungesa e votës nga Selimi ka shtuar spekulimet për pakënaqësi të brendshme brenda partisë.

Në përpjekjen e parë të VV-së, kandidatura e Albulena Haxhiut gjithashtu dështoi, duke marrë po ashtu 57 vota pro, 56 kundër, ndërsa tre deputetë të Nismës abstenuan.

Seanca e radhës është caktuar për të premten, më 22 gusht, dhe mbetet e paqartë se me çfarë kandidature do të paraqitet VV-ja dhe nëse do të arrijë të sigurojë konsensus të brendshëm.