#Sport

Shoqata e Trajnerëve të Futbollit të Kosovës mban Kuvendin e rregullt

Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës u zhvillua Kuvendi i rregullt i punës i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit të Kosovës, ku morën pjesë 24 nga 26 delegatë. Të gjitha pikat e rendit të ditës, përfshirë raportin e punës dhe raportin financiar për vitin 2025, u miratuan unanimisht.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, përshëndeti punimet dhe theksoi rëndësinë e vendimeve të tilla për avancimin e punës së trajnerëve dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë. Kryetari i Shoqatës, Muharrem Sahiti, falënderoi delegatët për kontributin e tyre dhe vlerësoi rëndësinë e punës së trajnerëve në promovimin e futbollit kosovar.

Delegatët theksuan përkushtimin për të vazhduar zhvillimin profesional, me fokus në talentet e reja dhe ngritjen e standardeve të trajnerëve në të gjitha nivelet e futbollit në Kosovë.