Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kundërshton ndërprerjen e energjisë për biznese
Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, pjesë e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, ka reaguar ndaj paralajmërimit për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për bizneset nga data 16 gusht, duke e cilësuar këtë masë si rrezik serioz për ekonominë vendore.
Në një komunikatë për media, shoqata i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të mos e zbatojë këtë vendim, pasi sipas tyre, ndërprerja e energjisë do të ndikojë drejtpërdrejt në ndërprerjen e prodhimit, humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve për konsumatorët, dëmtimin e kontratave me partnerë ndërkombëtarë dhe uljen e konkurrueshmërisë në tregjet e jashtme.
Prodhuesit theksojnë se nuk janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kërkojnë që ky proces të zhvillohet në mënyrë transparente, me konsultime dhe me çmime të arsyeshme, të krahasueshme me ato të rajonit.
Shoqata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme që garanton mbrojtjen e prodhimit vendor dhe ekonomisë së Kosovës.











