Shiten të gjitha biletat për ndeshjen Zvicër–Kosovë, pritet përkrahje e madhe për “Dardanët”
Janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen mes Zvicrës dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet të premten nga ora 20:45 në stadiumin “St. Jakob Park” në Basel.
Shitja e biletave për sektorin e tifozëve të Kosovës kishte nisur më 29 gusht, ndërsa sipas gazetës zvicerane “Blick”, interesimi ishte i madh dhe stadiumi është mbushur plotësisht.
“Ashtu si pritej, ‘St. Jakob Park’ tashmë është i shitur plotësisht për ndeshjen ndaj Kosovës. Si në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian të zhvilluar në nëntor 2023, është shumë e mundur që një pjesë e madhe e tifozëve të bëjë tifo për ekipin mysafir”, shkruan gazeta.
Për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, pritet që “Dardanët” të kenë përkrahje të fuqishme nga tribuna, njësoj si në përballjet e kaluara në këtë vend.










