Shefi i NATO-s: Po punojmë për zgjidhjen diplomatike të çështjes së Grenlandës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi më 21 janar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se mënyra e vetme për të zgjidhur krizën rreth Grenlandës është diplomacia e matur, duke shtuar se po punon në prapaskenë për këtë çështje.
Rutte refuzoi të komentojë për synimet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të marrë nën kontroll ishullin, duke theksuar se diplomacia është më e rëndësishme se deklaratat publike. Ai po ashtu theksoi nevojën për një Evropë dhe një Arktik të sigurt, duke shtuar se Grenlanda duhet mbrojtur nga ndikimi rus dhe kinez.
Shefi i NATO-s u shpreh gjithashtu se mospajtimet për Grenlandën nuk duhet të shpërqendrojnë aleancën nga lufta në Ukrainë, e cila mbetet prioritet për sigurinë evropiane dhe amerikane.
Grenlanda, territor i Danimarkës me rreth 57,000 banorë, nuk është anëtare e pavarur e NATO-s, por mbulohet nga anëtarësimi i Danimarkës, dhe një përpjekje për marrjen e saj nën kontroll do të ishte e para e këtij lloji në historinë e aleancës.










