Shefi i NATO-s kërkon qartësi mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se pret sqarime rreth garancive të sigurisë që Evropa mund t’i ofrojë Ukrainës pas përfundimit të luftës me Rusinë. Ai ka theksuar se kjo pritet të ndodhë në samitin e aleatëve të Ukrainës që mbahet të enjten, ose menjëherë pas tij.
“Pres që nesër, ose menjëherë pasnesër, të kemi qartësi mbi atë që mund të ofrojmë së bashku,” u shpreh Rutte gjatë një konference për media me presidentin e Estonisë, Alar Karis, në selinë e NATO-s në Bruksel.
Sipas tij, pasi të ketë një qëndrim të qartë evropian, do të ketë edhe angazhim më intensiv me Shtetet e Bashkuara për rolin që ato do të kenë në këtë proces.
Takimi virtual i së enjtes do të bashkë-organizohet nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer, ku pritet të marrin pjesë liderë të “koalicionit të të vullnetshmëve”, vende evropiane që po punojnë për të garantuar siguri afatgjate për Ukrainën.











