SHBA-ja pezullon procesimin e vizave për Kosovën dhe dhjetëra shtete të tjera
Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka vendosur të pezullojë përkohësisht procesimin e vizave për imigrantë për rreth 75 shtete, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, raportojnë mediat amerikane, përkatësisht “Fox News”.
Sipas një dokumenti të Departamentit të Shtetit, të siguruar nga “Fox News Digital”, zyrtarët konsullorë janë udhëzuar që gjatë kësaj periudhe t’i refuzojnë aplikimet për viza në bazë të ligjeve ekzistuese, derisa të përfundojë rivlerësimi i procedurave të kontrollit dhe verifikimit të aplikuesve. Masa synon të parandalojë hyrjen e personave që mund të bëhen barrë për sistemin publik amerikan.
Pezullimi i procesimit të vizave pritet të hyjë në fuqi më 21 janar dhe do të zgjasë për një afat të pacaktuar, deri në përfundimin e plotë të rishikimit të procedurave për vizat e imigrantëve.
Në listën e shteteve të përfshira, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, gjenden edhe disa vende të rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina, ndërsa Serbia nuk është përfshirë në këtë listë, sipas publikimit të “Fox News Digital”.
Për këtë zhvillim ka njoftuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.











