Shatri akuzon Qeverinë për fshehje të të dhënave: 213 mijë të shpërngulur dhe rënie në punësim
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, ka kundërshtuar deklaratat e Qeverisë Kurti dhe të ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me rezultatet ekonomike të mandatit katërvjeçar, duke i cilësuar ato si të njëanshme dhe jo reale.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Shatri ka thënë se qeveria po prezanton vetëm shifrat pozitive, ndërsa po anashkalon treguesit negativë që, sipas tij, dëshmojnë për një krizë të thellë ekonomike dhe demografike në vend. Ai ka theksuar se gjatë katër viteve të fundit nga Kosova janë shpërngulur rreth 213 mijë qytetarë, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Sipas tij, përveç shpërnguljes masive, është shënuar edhe rënie e ndjeshme e numrit të nxënësve dhe studentëve. Ai ka bërë të ditur se në vitin shkollor 2024–2025 ka 21 mijë nxënës më pak në arsimin fillor krahasuar me vitin 2020–2021, si dhe 11 mijë nxënës më pak në arsimin e mesëm. Po ashtu, ka rënie edhe në arsimin universitar, me rreth 31 mijë studentë më pak në vitin akademik 2024–2025.
Duke folur për tregun e punës, Shatri ka deklaruar se 57 për qind e popullsisë në moshë pune në Kosovë janë joaktive, ndërsa vetëm gjatë vitit 2024 ka pasur 11 mijë të punësuar më pak krahasuar me vitin 2023. Sipas tij, kjo rënie lidhet drejtpërdrejt me valën e shpërnguljes.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si qeveria po paraqet rritjen e pagave, duke thënë se ajo nuk reflekton realisht rritjen e kostos së jetesës. Sipas Shatrit, pagat neto janë rritur rreth 32 për qind për katër vite, ndërsa çmimet e artikujve të shportës së konsumit janë rritur mbi 60 për qind, çka, sipas tij, do të thotë se fuqia blerëse e qytetarëve ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitin 2020.











