#Sport

Seferi shkëlqen në Turqi, 12 gola dhe formë mbresëlënëse me Bodrumsporin

Edhe pse sezoni është ende larg përfundimit, Taulant Seferi po kalon një periudhë shumë pozitive në futbollin turk. Sulmuesi kuqezi po dëshmon formë të lartë në Ligën e Parë të Turqisë, duke treguar se ambicia e tij shkon përtej këtij niveli dhe synon ngjitjen në Superligë.

Seferi është një nga pikat kyçe të Bodrumsporit, skuadër që aktualisht ndodhet vetëm katër pikë larg zonës që siguron ngjitjen direkte në elitë. Kontributi i sulmuesit shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka qenë vendimtar në ecurinë e ekipit.

Në këtë sezon, ai ka realizuar 12 gola, ndërsa goli i fundit erdhi në fitoren bindëse 3-0 në shtëpi ndaj Sheriksporit, ku Seferi shënoi golin e tretë dhe ishte pranë realizimit edhe të një tjetri.

Statistikat e tij janë mbresëlënëse: në 22 paraqitje në kampionat ka regjistruar gjithsej 16 kontribute në gola, me 12 realizime dhe 4 asistime. Falë kësaj forme, ai konsiderohet një nga lojtarët më të spikatur të kampionatit dhe kandidat serioz për “Këpucën e Artë”, në garë me sulmuesin e Kosovës, Florent Hasani, i cili ka shënuar 14 gola.

Bodrumspori renditet aktualisht në vendin e pestë me 39 pikë, brenda zonës së “play-off”-it për ngjitje në Superligë, por objektivi i klubit mbetet ose kualifikimi në finalen e plej-ofit, ose ngjitja direkte.

Sulmuesi 29-vjeçar ka qenë aktiv në mbi 90 për qind të minutave të luajtura dhe pothuajse gjithmonë titullar. Forma e tij e mirë mund t’i hapë rrugën edhe rikthimit në Kombëtare, ku nuk ka luajtur që nga nëntori i vitit 2024.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *