#Lajme

Seanca për vrasjen e kushëririt në Dumnicë – i akuzuari e përshkruan viktimën si “trafikant armësh dhe person problematik”

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin e Krimeve të Rënda, po vazhdon seanca gjyqësore për vrasjen e ndodhur në vitin 2023 në Dumnicë të Podujevës.

Para trupit gjykues po dëshmon i akuzuari B. S., i ngarkuar për vrasjen e kushëririt të tij, S. S. Gjatë seancës, ai ka rrëfyer marrëdhënien me viktimën, duke thënë se e njihte mirë dhe kishte njohur karakterin dhe biznesin e tij. “Mosmarrëveshje personale nuk kisha, por një moment e pash fytyrën e tij të vërtetë dhe u largova,” tha ai.

I akuzuari e përshkroi viktimën si një person problematik me të kaluar kriminale, të përfshirë në trafik armësh ilegale dhe si “njeri dyfytyrësh”. Ai ka treguar edhe detaje për ditën e vrasjes, duke thënë se nuk kishte ndërmarrë asgjë të jashtëzakonshme dhe se akuzat ndaj tij janë të motivuara nga inate personale dhe interesa kriminale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 janar 2024, B. S. akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa vëllai i tij dyshohet se i ka dhënë ndihmë për kryerjen e veprës penale. Aktakuza përshkruan se më 26 mars 2023, në Dumnicë të Podujevës, B. S. i është afruar papritur viktimës dhe e ka qëlluar dy herë në kokë me pistoletë, duke e privuar nga jeta, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *