Seanca konstituive nuk mbahet pa publikimin e aktgjykimit të plotë të Kushtetueses
Konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet vetëm pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i Kushtetueses përcakton që brenda 30 ditëve, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit me votim të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.
Bazuar në praktikat e mëhershme, publikimi i plotë i aktgjykimit mund të zgjasë deri në dy javë, pas së cilës nis cikli 48-orësh për thirrjen e seancës.
Që nga 15 prilli, kur u thirr për herë të parë seanca konstituive, janë mbajtur 54 vazhdime të saj nën drejtimin e deputetit më të vjetër të legjislaturës, Avni Dehari. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Dehari nuk ka vepruar sipas aktgjykimit të saj të 26 qershorit, duke shpallur të pavlefshme të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik.
Sipas Rregullores së Kuvendit, kryesuesi ka përgjegjësinë për mbarëvajtjen e seancave, prandaj pritet që Dehari ta thërrasë seancën menjëherë pas publikimit të aktgjykimit në Gazetën Zyrtare. Vendimi është mirëpritur nga partitë opozitare, ndërsa është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve.











