#Lajme

SBASHK: Ikja e mësimdhënësve po e rrezikon arsimin në Kosovë, kërkohet ndërhyrje urgjente

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka ngritur shqetësimin se largimi i mësimdhënësve dhe nxënësve nga Kosova po e dëmton rëndë sistemin arsimor dhe se, nëse trendi vazhdon, shkollat mund të mbesin pa kuadro profesionale.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala tha se shumë mësimdhënës me përvojë të gjatë po largohen drejt vendeve të Evropës, kryesisht Gjermanisë, duke u integruar në sistemin e tyre arsimor. Sipas saj, kjo situatë është alarmante pasi humbja e një mësimdhënësi me përvojë 15-20 vjeçare është e pazëvendësueshme në afat të shkurtër.

Ajo theksoi se përveç mësimdhënësve, edhe shumë nxënës po largohen bashkë me familjet e tyre, duke e bërë gjendjen edhe më shqetësuese.

Shala përmendi edhe kërkesat urgjente të SBASHK-ut: rritjen e koeficientit në Ligjin e Pagave, nënshkrimin e kontratës kolektive, rregullimin e pagesës së përvojës së punës dhe ndryshimet në Ligjin e Skemave Pensionale për vitet ’90-’99, për të cilin tashmë janë dorëzuar mbi 20 mijë nënshkrime në Kuvend.

Ajo kritikoi gjithashtu Ministrinë e Arsimit për përjashtimin e SBASHK-ut nga Këshilli shtetëror për licencimin e mësimdhënësve, duke kërkuar që përfaqësuesit e sindikatës të përfshihen në të gjitha trupat profesionalë të MASHT-it.

Sipas saj, ndërhyrja e shpejtë është e domosdoshme për të parandaluar boshatisjen e shkollave nga mësimdhënësit me përvojë dhe për të mbrojtur sistemin arsimor në vend.