SBASHK dorëzon kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë Hekuran Murati
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Departamenti i Përgjithshëm, ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Sipas njoftimit, kallëzimi është bërë mbi dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me pretendimin se ministri nuk ka vepruar sipas obligimeve të Ligjit për Këshillin Ekonomik Social. SBASHK thekson se Murati nuk ka shpallur ftesën për formimin e këtij këshilli që nga fundi i vitit 2022, ndonëse është i obliguar ligjërisht ta bëjë këtë.
Sindikata vlerëson se mosveprimi i ministrit ka shkaktuar dëme për sindikatat dhe anëtarët e tyre në mbarë vendin, duke pamundësuar diskutimin e ligjeve dhe rregulloreve që prekin të punësuarit në Kosovë. Po ashtu, SBASHK thekson se kjo situatë ka lënë vendin pa Marrëveshje Kolektive, një e drejtë që buron nga Ligji i Punës, duke e bërë Kosovën shtetin e vetëm në rajon pa një marrëveshje të tillë të nënshkruar.











