#Lajme

Samiti i Brdo-Brijunit nis sot në Durrës, Vjosa Osmani përfaqëson Kosovën

Në Durrës ka nisur sot Samiti i Iniciativës Brdo-Brijunit, që ka mbledhur liderët më të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi zhvillimet rajonale dhe perspektivën evropiane të rajonit.

Në qendër të diskutimeve do të jenë çështje si zbatimi i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian prej 6 miliardë eurosh, bashkëpunimi rajonal, politikat për rininë dhe zhvillimin e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Kosovën në këtë samit e përfaqëson Presidentja Vjosa Osmani, ndërsa të pranishëm janë edhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ai i Malit të Zi Jakov Milatoviq, Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova, si dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës.

Për Kosovën, prioritet mbetet zbatimi i Planit të Rritjes së BE-së, që synon të nxisë investimet dhe zhvillimin ekonomik për vendet që avancojnë në procesin e reformave evropiane.

Samiti përfshin një seancë plenare dhe një konferencë të përbashkët për shtyp të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, me homologët e tij nga Sllovenia dhe Kroacia, Nataša Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq, bashkëkryesues të Procesit të Brdo-Brijunit. Po ashtu, gjatë ditës priten edhe takime dypalëshe mes liderëve.

Në përfundim të samitit pritet miratimi i konkluzioneve të përbashkëta që do të theksojnë angazhimin për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe përparimin në rrugën drejt integrimit evropian.

Procesi i Brdo-Brijunit, i themeluar në vitin 2013 nga Kroacia dhe Sllovenia, ka për qëllim nxitjen e dialogut dhe fqinjësisë së mirë në rajon. Samiti i fundit u mbajt në Mal të Zi në vitin 2024.