#Lajme

Samiti BE–Ballkani Perëndimor: Rama takime me Costa dhe Kallas në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi sot në Bruksel takime në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor. Ai u prit nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një takim të zhvilluar në margjinat e samitit, ku marrin pjesë liderët e rajonit dhe përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian.

Rama mori pjesë edhe në seancën plenare me temë thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë nismën “Roam like at home” dhe Planin e Rritjes për rajonin, e drejtuar nga Antonio Costa.

Në samit janë të pranishëm edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, si dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Rama zhvilloi gjithashtu një takim të veçantë me Kaja Kallas. Samiti synon forcimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik.

Në përfundim të samitit pritet të publikohet deklarata zyrtare BE–Ballkani Perëndimor.