#Botë

Rusia: Ukraina kryen sulme vdekjeprurëse me dronë në Voronezh

Guvernatori i rajonit rus të Voronezhit, Alexander Gusev, ka njoftuar se gjatë natës një grua ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve me dronë që Ukraina ka kryer në qytet.

Sipas Gusev, sulmet kanë shkaktuar dëmtime në më shumë se dhjetë ndërtesa banimi, dhjetë shtëpi private, një shkollë të mesme dhe disa ndërtesa qeveritare. Ai i ka cilësuar si një nga sulmet më të mëdha me dronë që nga nisja e “operacionit të posaçëm ushtarak”.

Voronezh ndodhet 470 kilometra larg Moskës dhe rreth 250 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Sulmet nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Nga ana e saj, Ukraina ka deklaruar se sulmon caqe brenda Rusisë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ruse ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase, teksa konflikti po hyn në vitin e katërt.