RTK në krizë financiare, Sindikata kërkon ndërhyrjen urgjente të presidentes Osmani
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka paralajmëruar për një kolaps financiar në RTK dhe ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për zhbllokimin e buxhetit të institucionit publik.
Sipas sindikatës, punëtorët e RTK-së nuk kanë marrë pagat e tyre prej disa javësh, duke u përballur me vështirësi serioze ekonomike. Ata raportojnë se shumë prej tyre po përjetojnë presion nga bankat për pagesat e kredive dhe madje kanë vështirësi për të siguruar barnat dhe ushqimet e nevojshme.
Në letrën dërguar presidentes, SPERTK thekson se mungesa e pagave po ndikon rëndë në jetën e qindra familjeve që varen nga RTK-ja, ndërsa kërkon që brenda kompetencave të saj kushtetuese, Osmani të ndërhyjë për të garantuar funksionimin normal të këtij institucioni publik e të pavarur.
Sindikata shpreson se ndërhyrja e presidentes do të ndihmojë në shmangien e një krize sociale që, sipas tyre, po përkeqësohet çdo ditë.










