Rritet në 20 numri i viktimave nga stuhia e dimrit në SHBA
Një stuhi e fortë dimërore që ka përfshirë disa pjesë të Shteteve të Bashkuara ka shkaktuar të paktën 20 viktima dhe ka lënë qindra mijëra qytetarë pa energji elektrike.
Vdekjet janë raportuar në disa shtete, përfshirë Nju Jorkun, Tenesin, Luizianën, Masaçusetsin, Kansasin, Pensilvaninë dhe Teksasin, ndërsa mes viktimave është edhe një vajzë 16-vjeçare.
Si pasojë e kushteve të rënda atmosferike, mbi 10 mijë fluturime janë anuluar, ndërsa shumë shkolla dhe rrugë janë mbyllur në mbarë vendin. Reshjet e dendura të borës gjatë fundjavës kanë paralizuar transportin dhe shërbimet, veçanërisht në rajonet qendrore dhe lindore të SHBA-së.
Meteorologët parashikojnë që reshjet e borës të fillojnë të zbuten gjatë ditës, por temperaturat ekstremisht të ulëta pritet të vazhdojnë. Paralajmërimet e Shërbimit Kombëtar të Motit shtrihen nga Teksasi deri në Anglinë e Re.
Stuhia ka ndikuar edhe në Kanada, ku në Toronto janë shënuar reshje rekord dëbore në aeroportin Pearson, duke shkaktuar anulime dhe vonesa të shumta fluturimesh. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet e emergjencës.








