Rreth 15 milionë euro shpenzoi buxheti i Kosovës për dy palë zgjedhje brenda nëntë muajve
Kosova ka organizuar brenda këtij viti dy procese zgjedhore: zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt dhe zgjedhjet lokale më 12 tetor, me balotazhin që do të mbahet më 9 nëntor. Ekzistojnë gjasat që në dhjetor të ketë edhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, në rast se nuk formohet qeveria e re.
Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, vetëm zgjedhjet parlamentare kanë kushtuar rreth 9 milionë euro, ndërsa zgjedhjet lokale mbi 6 milionë euro, duke e çuar shpenzimin total në rreth 15 milionë euro për vetëm nëntë muaj. Vullnet Bukaqku nga Instituti Demokratik paralajmëron se shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme do të dëmtonte edhe më shumë buxhetin, me një kosto shtesë prej rreth 9 milionë eurosh.
Qytetarët shprehen të lodhur nga zgjedhjet e shpeshta, duke theksuar se ato ndikojnë negativisht në ekonominë dhe jetesën e tyre. Disa prej tyre thonë se paratë e shpenzuara për zgjedhje duhet të investohen në fusha të tjera, ndërsa të tjerë mendojnë se zgjedhjet janë të nevojshme kur vendi përballet me krizë institucionale.
Ekonomisti Lulzim Beqiri vlerëson se mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve brenda një viti dëmton jo vetëm buxhetin, por edhe ekonominë e vendit në përgjithësi.











