Rrëmbim si në filma në Veternik, Prishtinë – arrestohen 8 persona, përfshirë një zyrtar policor
Pas hetimeve intensive, Policia e Kosovës ka zbuluar dhe arrestuar tetë persona të dyshuar për rrëmbimin e një 42-vjeçari më 18 shtator 2025 në lagjen Veternik të Prishtinës. Viktima, M.O., u sulmua pranë pompës së derivateve “Valoni Petrol”, u detyrua me forcë të hipte në një automjet dhe më pas u mbajt peng gjatë natës në një shtëpi të pabanuar në fshatin Murge të Skenderajt, ku dyshohet se është keqtrajtuar fizikisht.
Fillimisht rasti u trajtua si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, por pas hetimeve dhe konsultimit me Prokurorin e Krimeve të Rënda, ai u ri-kualifikua në “Rrëmbim”.
Mes të arrestuarve janë: I.F. (32 vjeç), G.T. (30 vjeç), B.I. (33 vjeç), B.F. (54 vjeç), A.F. (30 vjeç), A.G. (30 vjeç), A.M. (46 vjeç) dhe A.F. (zyrtar policor). Gjatë kontrolleve janë sekuestruar armë, përfshirë një armë automatike AK-47 dhe një armë lodër që ngjan me AK-47.
Hetimet vazhdojnë nga Njësia e Hetimeve Rajonale në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ndërsa po punohet për zbardhjen e rolit dhe motivit të secilit të përfshirë. Pista e përfshirjes së një zyrtari policor ka rënduar çështjen.
Ky rrëmbim konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda të vitit në kryeqytet për shkak të mënyrës së organizimit dhe numrit të të dyshuarve.











